Kryetari i PS, Edi Rama ka promovuar librin e tij “Kurban” në kryeqendrën e veriut të vendit, Shkodër.
Gjatë takimit me simpatizantët, ku ishin të pranishëm edhe eksponentë të PS, Rama falenderoi të pranishmit për interesin e tyre për ta lexuar librin dhe jo për ta vlerësuar në bazë të atyre që kanë dëgjuar.
“Libri të flasë vetë për veten dhe secili të krijojë idenë për të duke e lexuar. Është një kënaqësi që ju interesoheni kaq shumë për librin, duke e lexuar dhe jo duke dëgjuar komentet e të tjerëve”, deklaroi Rama.
Kreu i PS theksoi se libri është një pasqyrë e perspektivës drejt së ardhmes dhe jo që sheh drejt së shkuarës, e cila megjithatë ka një rol kyc.
“Pavarësisht se do jeni apo jo dakord me librin, apo me disa pjesë të tij, ky nuk është një libër për të shkuarën por për të ardhmen. Por e shkuara është një pasqyrë që i vlen njeriut për të parë drejt së ardhmes”, tha më tej Rama.
Në fundjavë Rama e promovoi librin e tij në qytetin e Durrësit, ku nënshkroi dhe la dedikime për lexuesit e qytetit bregdetar.
Një rrëfim mbi librin e tij lideri i opozitës e bëri javën e kaluar në një intervistë për emisionin “Top Story” në Top Channel.