Lukas Papadhimos, kryeministri i qeverisë së koalicionit në Greqi
Nga: ANILA JOLEATHINE - Lukas Papadhimos është kryeministri i ri i Greqisë.
Zyrtarizimi në këtë post, i bankierit të njohur, u bë sot në orën 14 30 (ora lokale) në një deklaratë të presidentit të Republikës.
Lukas Papadhimos, ish-zëvendëspresident i BQE dhe ish-guvernator i Bankës së Greqisë, i cilësuar nga shtypi i huaj si "avokati i kursimit", u shpall kryeministër, pas një takimi prej mëse 4 orësh në presidencë, mes presidentit dhe krerëve politikë, të cilëve iu bashkua edhe vetë Papadhimos.
Mbërritja e tij në takim, konfirmoi se palët kishin rënë tashmë dakort për emrin e kryeministrit dhe se në vazhdim do të flitej për përbërjen e qeverisë së re dhe detaje të tjera.
Pas një takimi të gjatë, në ditën e pestë të negociatave, Papandreu e Samaras dolën të buzëqeshur nga presidenca, por pa bërë asnjë deklaratë, duke i lënë mundësinë të fliste për herë të parë për mediat në cilësinë e kryeministrit, të sapoemëruarit në këtë post, Lukas Papadhimos.
Në deklaratën e parë si kreu i qeverisë greke së koalicionit, Lukas Papadhimos falenderoi për besimin që u tregua ndaj tij, duke i dhënë postin e kryeministrit.
“Ekonomia greke po përballet me probleme të mëdha, pavarësisht nga përpjekjet e bëra. Greqia është në një udhëkryq. Zgjedhjet e bëra do të jenë vendimtare”, deklaroi kryeministri i ri.
“Unë jam i bindur se pjesëmarrja e vendit në zonën e euros do të lehtësojë rregullimin ekonomik. Kjo nuk do të jetë rrugë e lehtë, por me unitet, problemet mund të zgjidhen," tha Papadhimos, duke theksuar nevojën që vendi të qëndrojë me cdo kusht në Eurozonë.
Qeveria e re e Lukas Papadhimos do të përurohet nesër në ora 14 00 dhe menjëherë do të marrë në duar drejtimin e vendit.
Sfidat më emergjente të kësaj qeverie janë miratimi në parlament i marrëveshjes së kredisë dhe zbatimi i gjithë vendimeve që rrjedhin prej saj, si një parakusht për lëvrimin e këstit të gjashtë të ndihmës dhe një hap i rëndësishëm që e fut Greqinë në rrugën e daljes nga kriza e thellë, në të cilën ndodhet aktualisht dhe më pas përgatitja e vendit për zgjedhjet e parakohshme.
Profesionalizmi, dhe prapavija e fortë në fushën akademike dhe sidomos atë të financave, që disponon Lukas Papadhimos, kanë ngjallur mjaft shpresa në opinionin grek dhe vecanërisht tek partnerët evropianë të Greqisë.
Me në krye ish-zëvendëspresidentin e BQE, njeriun që punoi fort për hyrjen e Greqisë ne Evropë, tani vendi mund të shpresojë për përshpejtimin e dhënies se këstit të gjashtë dhe të largojë shpejt e përfundimisht, mundësinë e falimentimit.
Lajmi për emërimin e Lukas Papadhimos, në krye të qeverisë së përkohshme në Greqi, u bë “breaking news” për televizionet në gjithë botën, të cilët ndërprenë cdo transmetim, për ta anoncuar atë si lajm të rëndësisë së vecantë.
Zyrtarizimi i emrit të tij në krye të qeverisë greke, ndikoi menjëherë në krijimin e një klime pozitive në tregjet botërore.
Ndiqni zhvillimet e sotme hap pas hapi (me orën lokale).
Deklarata e Papadhimos pas emerimit kryeminister i qeverise se koalicionit.
Ora 15 10 - Në deklaratën e parë si kryeministër i qeverisë së koalicionit, Lukas Papadhimor falendëroi për besimin që u tregua ndaj tij duke i dhënë pozicionin e kryeministrit dhe deklaroi se “të gjithë duhet të kontribuojnë në trajtimin e krizës”.
“Unë jam i bindur se pjesëmarrja e vendit në zonën e euros do të lehtësojë rregullim ekonomik”, tha Papadhimos.
“Ekonomia greke po përballet me probleme të mëdha, pavarësisht nga përpjekjet e bëra. Greqia është në një udhëkryq. Zgjedhjet e bëra do të jenë vendimtare”, deklaroi kryeministri i ri.
"Kjo nuk do të jetë rrugë e lehtë, por me unitet, problemet mund të zgjidhen," vuri në dukje Papadhimos, duke theksuar nevojën që vendi të qëndrojë me cdo kusht në Eurozonë.
Zhvillimet gjate dites se sotme
Ora 14 32 - Lukas Papadhimos emërohet kryeministër, në krye te qeverise se koalicionit. Deklarata zyrtare nga presidenti i Republikes. Neser ora 14 00 konstituimi i qeverisë se re.
Ora 14 00 - Shpallja nga Presidenti i Republikës do të përfshijë jo vetëm emrin e kryeministrit të ri, por edhe një plan për nismat e qeverisë së re në të ardhmen e afërt.
Ora 13 40 - Nga casti në cast pritet njoftimi zyrtar. Spekulime lidhur me përbërjen e qeverisë së re. Neser ne ora 14:00 konstituimi i qeverisë.
Ora 13 30 - Perfundojne bisedimet. Pritet deklarata zyrtare nga presidenti
Ora 13 15 - Kanë kaluar tre orë nga fillimi i takimit të Këshillit të Kryetarëve dhe një orë nga mbërritja e Lukas Papademos në presidencë. Vazhdojnë konsultimet mbi përbërjen e qeverisë së re.
Ora 12 45 - Kryepeshkopi Jeronimos, ndryshon axhendën në pritje të kurorëzimit të qeverisë së re.
Ora 12 40 - Mediat: Papulias, Papadimos dhe kreret politike po diskutojne përbërjen e qeverisë dhe kohëzgjatjen e mandatit te saj
Ora 12 09 - Mbërrin në takim Lukas Papadhimos. Eshtë rënë dakort për emrin e tij në krye të qeverisë së re.
Ora 12 00 - Ka 2 orë që po zhvillohet takimi dhe ende asnjë njoftim zyrtar për emrin e kryeministrit të ri.
Ora 11 40 - Ka mbi 90 minuta që po zhvillohet takimi në presidencë dhe ende asnjë shenjë për emrin e kryeministrit të ri.
Ora 10 20 - Njoftohet se Lukas Papadhimos mund të jetë pjesë e takimit në presidencë.
Ora 10 07 – “Gjithcka në rregull”, tha kreu i LAOS, Jorgos Karaxhaferis, para takimit te presidenti.
Ora 10 06 - “Është hera e tretë kam ardhur në këtë çështje, dhe shpresoj që të jetë e fundit," tha Antonis Samaras, ndërsa hynte në presidencë.
Ora 10 05 – Krerët politikë mbërrijnë te presidenti Papulias. Fillon takimi.
Ngjarjet që paraprinë gjatë natës dhe ditës së djeshme.
Mbrëmë u njoftua një takim mes krerëve politikë sot në ora 10 00, tek presidenti Karolos Papulias, për emërimin e kryeministrit të ri.
Emri i Lukas Papadhimos do diskutohet në këtë tryezë, pasi mbrëmë pas 4 ditësh përpjekje të pafrutshme për formimin e një qeverie koalicioni, rifilluan negociatat me bankierin Lukas Papadhimos për postin e kryeministrit të kësaj qeverie.
Ky i fundit ka vënë kushtet e veta për të pranuar postin e kryeministrit.
Papadhimos kërkon të sigurohet garancia me 5 firma për marrëveshjen e 27 Tetorit, kërkon që zgjedhjet e parakohshme të bëhen më vonë se 19 Shkurti i vitit të ardhshëm, pjesëmarrje më të gjerë të "Demokracisë së re" në qeveri dhe pohon se nuk ka preferencë të vecantë për ministrinë e Financave, duke lënë të kuptohet se nuk ka kundërshtim për Evangelos Venizelos, në krye të kësaj ministrie.
Kandidatura e Filipos Petsalnikos, Kryetarit të Parlamentit, personi, që sic u shpreh Papandreu, "i bashkon të gjithë", duket se u bë shkak i dështimit të bisedimeve të mbrëmjes së djeshme. "Tërmeti" ne PASOK rrezoi kandidaturen e Petsalnikos.
Kreu i partisë LAOS, z. Karatzaferis u largua që në fillim nga takimi, duke thënë thellësisht i zemëruar para gazetarëve, se “Papandreu e Samaras po bëjnë lojëra taktike”.
Ai deklaroi gjithashtu se “nëse nuk është Lukas Papadhimos kryeministri i ardhshëm, vendi do të dëmtohet”.
Kryetari i opozitës "Demokracia e re", Antonis Samaras pohoi se “të enjten në takim, do të jetë i hapur për të pranuar cdo propozim që do bëhet”.
Ndërkaq mbrëmë, para se të fillonte ky takim, Papandreu njoftoi publikisht dorëheqjen e tij si kryeministër, gjatë një fjalimi në televizion.
Papandreu garantoi "mbështetjen ndaj qeverisë së re, që ajo të bëjë gjithcka është e nevojshme, për të nxjerrë vendin nga kriza."
Ai theksoi fushat kryesore, ku duhet të lëvizë politika e qeverisë së koalicionit, me objektivin siç tha, për mbajtjen e vendit në euro.
Në fund Papandreu falënderoi bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dhe popullin grek, për fuqinë e këmbënguljes dhe besimin e tyre.
Por pavarësisht fjalimit të “lamtumirës”, duket se të paktën edhe disa orë, Papandreu do të jetë ende kryeministër i Greqisë, përderisa edhe pas 4 ditësh, nuk u arrit të vendosej emri i pasardhësit, që do qetësonte popullin grek, partnerët evropianë që presin vendimmarrjet dhe tregjet.